Interviste me Fanfara Tiranen dhe Hysni Zelen pas koncertit te tyre ne Londer

Me siguri keni degjuar te flitet per Fanfara Tiranen. Si? Jo? Zgjohuni menjehere, keni humbur nje nga spektaklet me te bukur te muzikes shqiptare me miksim tingujsh tradicionale e moderne. Fanfara Tirana luan bashke me Transglobal Underground dhe pjese e grupit eshte edhe mjeshtri i muzikes popullore shqiptare Hysni Zela. 

Nese kerkoni ne Google emrin e tyre, do t’ju dale faqja Facebook a grupit me datat e koncerteve. Ata jane vazhdimisht ne turne  dhe se fundmi ishin ne Kine, ne veri te Anglise dhe me pas ne Londer. Shikoni daten me te afert dhe sigurohuni te zini vend per koncertin e ardhshem. Kercimi, vallja dhe hareja jane efektet kryesore që ju shkakton ky bashkepunim unikal. Ose blini albumin Kabatronics dhe shikoni videot ne YouTube.

Po cfare muzike luan Fanfara Tirana dhe Transglobal Underground?

Me nje pershkrim te shkurter, eshte muzike tradicionale e jugut te Shqiperise e miksuar me tinguj moderne. Disa kenge jane “Shege e kuqe”, “Xhixhile” te përziera me ritme elektronike, reggae dhe dub. Por ka dhe polifoni dhe hare dasmash.

Si dy zerat kryesore te grupit, Londinezi Tuup dhe mjeshtri i madh i këngës popullore Hysni Zela, mund të duken sikur nuk kanë asgjë të përbashkët por në skenë prodhojnë një harmoni perfekte, në sfondin e tingujve që vijnë nga anë të ndryshme të botës.

Pyetjes se si funksionon bashkimi midis dy rrymave muzikore kaq te ndryshme, Hysniu i pergjigjet:

“Me thoni ju se si ju duket bashkimi?” Fantastik eshte pergjigja e publikut.

Fuzioni midis tingujve të kabasë së Shqipërisë së jugut, klarinetës, perkusioneve dhe kitarës tradicionale indiane, tingëllon si një fuzion organik, ku të gjithë anëtarët e grupit luajnë në simbiozë. 

Por si u krijua bashkëpunimi unikal midis dy grupeve? 

Idenë e vuri në jetë Olsi Sulejmani, themelues i agjensisë World Music Management bazuar në Itali, i cili duke njohur muzikën e të dyja palëve, e drejtoi grupin londinez drejt grupit shqiptar. 

Prania e Hysni Zelës veshur me fustanelle te bardhe, qeleshe e papuce, i fton njerezit per fotografi si dhe pyetje e kureshtje pafund.

“Veshjet tradicionale janë pjesë e mrekullive tona”, thotë Hysniu. “Por mrekullia me e madhe  është polifonia”. 

Edhe pse në pension, Hysniu bashkepunon me Fanfaren. Pjese e procesit krijues per te eshte mbledhja e tingujve dhe e muzikes nëpër fshatra, pasi “kënga është në popull”, thotë ai.

Një anëtar tjeter i grupit Xhemal Murraj na tregon për pritjen e publikut anglez që ka qenë shumë e ngrohtë.

“Bashkëpunimi me një kulturë tjetër dhe një stil muzikor shumë të ndryshëm, ka qenë pa vështirësi”, thotë ai, gjë të cilën publiku e ndjen.

Ndërkohë muzikanti i Transglobal Underground, Tuup, e shijon bashkëpunimin me muzikantët shqiptarë. Në skenë ai kërcen duke ‘lëvizur lehtë shpatullat’, një mënyrë kërcimi karakteristike shqiptare dhe tregon se këtë  ‘e ka mesuar nga anëtarët e grupit’. 

Ai thotë, “3 cilësi i pëlqejnë më shumë te shqiptarët, respekti, ngrohtësia dhe vlerësimi i gjërave të mira ne jetë, ushqimi, pijet dhe prezenca femërore”.

Përballë një përzierje sa të çuditshme po dhe aq tërheqëse, publiku ndjehet i “çarmatosur” dhe nuk mund t’i rezistojë tingujve “ngjitës” që të bëjnë të hidhesh e të kërcesh. 

Kjo muzikë është një nga ambasadorët më të mirë të Shqipërisë jashtë vendit dhe si e tille meriton te gjithe mbeshtetjen dhe pelqimin tone.

12 mënyra për të mposhtur ‘bluzin’ e dimrit, sidomos atij Britanik

Another exception for the blog, writing in Albanian. This is an article for the Albanian Woman magazine ’12 ways to beat the winter blues’. It is in fact 10 not 12 as the title suggests as I edited the list down but forgot to change the number. The editor didn’t notice it either 🙂

I will translate this soon into English and publish it in English too.

12 mënyra për të mposhtur ‘bluzin’ e dimrit | Albanian Woman.

Bashkëpunimi unikal midis Fanfara Tirana dhe Transglobal Underground, ndez publikun Londinez

A little exception of writing in English in this blog, this is the article I wrote for the Albanian newspaper Mapo about Fanfara Tirana and Transglobal Underground which I thought I’ll also share on the blog.

Në shfaqjen e tyrë në Londër, bashkëpunimi i suksesshëm midis grupit shqiptar Fanfara Tirana dhe grupit londinez Transglobal Underground, që përcjell melodi të muzikës tradicionale shqiptare përzier me ritme elektronike, reggae dhe dab, e ekektrizon publikun. Shfaqja e Londrës është e dyta në Britani, pas pjesëmarrjes së dy grupeve, në festivalin ndërkombëtar të muzikës në Cardiff, Wales.

Ajo që ne njohim si muzikë dasmash është kombinuar me stilin e Transglobal Underground, i njohur në Angli për miksimin e tingujve europiane, lindore dhe afrikane, në atë që quhet world music. Frut i këtij bashkëpunimi një vjeçar është albumi ‘Kabatronics’, me muzikë tradicionale por ‘të modernizuar’, i hedhur në treg në fillim të vitit dhe i promovuar gjatë një turneu të gjatë nëpër Europë, pjesë e të cilit janë dhe shfaqjet në Britani.

Rezultati edhe pse në rrymën e muzikës Ballkanike të popullarizuar nga Goran Bregovitch, krijon një degë më vete që nuk është eksperimentuar më parë. Fuzioni midis tingujve të kabasë së Shqipërisë së jugut, klarinetës, perkusioneve, pianos, kitarës elektrike dhe kitarës tradicionale indiane, tingëllon si një fuzion organik, ku të gjithë anëtarët e grupit luajnë në simbiozë. Dy këngëtarët që këndojnë herë më vete dhe herë bashkarisht, Londinezi Tuup dhe mjeshtri i madh i këngës popullore Hysni Zela, mund të duken sikur nuk kanë asgjë të përbashkët por në skenë prodhojnë një harmoni perfekte, në sfondin e fuzionit të tingujve që vijnë nga anë të ndryshme të botës. Idenë e bashkëpunimit midis dy grupeve e vuri në jetë Olsi Sulejmani, themelues i agjensisë World Music Management bazuar në Itali, i cili duke njohur muzikën e të dyja palëve, e drejtoi grupin londinez drejt grupit shqiptar. Pjesa tjetër tashmë i përket historisë.

‘Djemtë’ e Fanfara Tirana veshur me xhaketa të kuqe e syze të zeza, frumëzyar nga flamuri shqiptar prodhojnë një efekt visual, ndërkohë fustanella e bardhë e Hysni Zelës, impozon respekt për një kulturë dhe traditë të vjetër. ‘Veshjet tradicionale janë pjesë e mrekullive tona’ thotë Hysni Zela, ‘por mrekullia e vërtetë është polifonia’. Mjeshtri i madh i cili dhe pse në pension, bashkëpunon me Fanfara Tiranën, tregon se si tingujt ai i kërkon nëpër fshatra, ‘pasi kënga është në popull’, thotë ai.

Një anëtar tjetër i grupit dhe organizator Xhemal Murraj na tregon për pritjen e publikut anglez që ka qenë shumë e ngrohtë. ‘Bashkëpunimi me një kulturë tjetër dhe një stil muzikor shumë të ndryshëm, ka qenë pa vështirësi’ thotë ai, gjë të cilën publiku e ndjen.
Ndërkohë muzikanti i Transglobal Underground, Tuup, e shijon bashkëpunimin me muzikantët shqiptarë dhe pëzierjen muzikore që ata kanë arritur. Në skenë Tuup kërcen duke lëvizur lehtë shpatullat, një mënyrë kërcimi karakteristike shqiptare dhe tregon se këtë formë ‘e ka kapur nga anëtarët e grupit’ dhe pse nuk ka qenë ndonjëherë prezent në ndonjë dasëm shqiptare. Ai duket se do ta ndjekë këtë këshillë dhe thotë 3 cilësi i pëlqejnë më shumë të shqiptarët ‘respekti, ngrohtësia dhe vlerësimi i gjërave të mira ne jetë, ushqimi, pijet dhe prezenca femërore’.

Përballë një përzierje sa të çuditshme po dhe aq tërheqëse, sa ai i Tirana Fanfara dhe Transglobal Underground, publiku ndjehet i ‘çarmatosur’ dhe nuk mund t’i rezistojë tingujve gati ‘ngjitës’ që të bëjnë të hidhesh e të kërcesh. Përballë një pjesëmarrje mikse, angleze, italiane, shqiptare e të tjerë, siç është tipike e Londrës kozmopolite, koncerti dhe albumi ‘Kabatronics’, morën pritjen që meritojnë, entuziazëm, energji pozitive dhe zbulim i kukturës shqiptare në një këndvështrim të ri, larg stereotipeve. Kjo muzikë është një nga ambasadorët më të mirë të Shqipërisë jashtë vendit.

I urojmë dy grupeve dhe bashëkpunimit midis tyre sukses të mëtejshëm dhe shpresojmë që dhe publiku shqiptar të ketë mundësi t’i shikojë në koncert. Albumi Kabatronics, mund të blihet në Amazon. Gjithashtu në youtube mund të gjeni video të dy grupeve dhe të albumit Kabatronics.

20131105-133346.jpg

20131105-133401.jpg

Shumë zhurmë për asgjë

Ndodhem në një komunitet njerëzish që nuk janë mësuar të jetojnë në paqe dhe të lumtur me njëri tjetrin. Në gjirin e tyre ka shume konflikt dhe tension te pashteruar. Nuk është vetëm pasojë e të kaluarës por e të tashmes si dhe e mungesës së të ardhmes. E kaluara nuk paraqet momente të shkëlqyera, më së shumti ajo është e mbushur me episode luftërash, shtypjeje, pushtimi, nënshtrimi, tiranie, shpërbërjeje dhe zvetënimi.
Megjithatë gjërat mund të ndryshojnë, fara e të mirës mund të prodhojë mirësi dhe për këta njerëz. Por problemi është që edhe pse ka njerëz të mirë, njerëz me parime e të ndershëm, ata nuk i dëgjon kush, jo më t’i ndjekë turma.

Komuniteti sapo ka pësuar një shok tjetër, që i shtohet historisë së tronditjeve kolektive të përmasave të mëdha. Nga ato që trondisin çdo njeri. Edhe pse të tronditur njerëzit nuk arrijnë në ndonjë konkluzion kolektiv koherent, “fajin për trazirat e patën të dyja palët, edhe ata që provokuan me gura edhe ata që reaguan me plumba”. Pasi komuniteti është i ndarë dhe ka mungesë “çimentoje sociale” njerëzit janë të ndarë, në mikro-grupe, ku anëtarë janë 1-2 veta. Secili mikro-grup ka versionin e vet të ngjarjeve dhe nuk pajtohet me versionin e grupeve të tjera që mund të konsiderohen aleate, jo më me atë të grupeve kundërshtare.

“Një ditë më parë, u bë një përpjekje për grusht shteti” thotë një grup. “Sot pasi protesta paqësore u shndërrua në ditë zie, kryeministri duhet të japë dorëheqjen” thotë grupi tjetër. “Turp t’i vijë qeverisë që godet njerëz të pafajshëm, njerëz që protestojnë kundër regjimit të saj të korruptuar dhe gjejnë vdekjen”. “E gjitha ishte një lojë e organizuar nga kryetari i opozitës, por ai do të dënohet për përpjekjet kriminale të marrjes së pushtetit me forcë”, thotë qeveria pa kërkuar as falje për viktimat dhe masat ekstreme me të cilat iu përgjigj protestës provokuese.

Një pjesë e komunitetit janë të prekur, të zhgjënjyer nga opozita, pjesa tjetër nga pushteti. Megjithatë nuk do të dalë asnjë variant i ngjarjeve apo i ndëshkimit të fajtorëve që do t’i kënaqë të gjitha palët dhe të gjithë do të mbeten sërish të pakënaqur. Të pakënaqur me pushtetin, mosbesues, të pakënaqur me opozitën, mosbesues. Historisë nuk do t’i gjendet zgjidhja as nuk do t’i dalë fundi. Të dyja palët kundërshtare do të vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën, situata do vazhdojë të tensionohet dhe ndërkohë populli pas një fundjave në shok do t’i kthehet normalitetit në të cilin çdo gjë i duket e pranueshme, edhe ngjarje tronditëse si ajo që sapo ndodhi.

Kryeministri nuk do ta japë dorëheqjen pasi nuk e shikon veten në faj. Ai shikon në faj opozitën. Kryetari i opozitës nuk do t’i ndahet akuzave, do të vazhdojë me protesta pasi nuk e njeh kryeministrin dhe e mban atë fajtor. Këta dy prototipa pushtojnë çdo ditë mendjet e njerëzve, ngjarjet, lajmet televizive, bisedat popullore, bisedat familjare. Gjysma quan horr, psikopat dhe kriminel njërin, gjysma tjetër quan hajdut, kokderr dhe të sëmurë mendor tjetrin. Me pak fjalë dhe njëri dhe tjetri konsiderohen nga njerëzit të papranueshëm për rolin që kanë ose pretendojnë, të drejtojnë komunitetin. Megjithatë njëri është në pushtet dhe tjetri aspiron. Edhe sikur kryeministri të jepte dorëheqjen dhe të kishte zgjedhje ai prapë do kandidonte si dhe ai tjetri, drejtuesi i opozitës. Prapë ata të dy do paraqiteshin si përfaqësues të votës së lirë, të vullnetit demokratik dhe do ligjëronin me orë të tëra deri në ngjirje se sa mirë e mbrojnë komunitetin dhe se sa i shëndetshëm do bëhet komuniteti nën drejtimin e tyre. Paçka se njëri nuk e ka problem t’i bëjë theror njerëzit që i nxorri në protesta dhe tjetri t’i vrasë sikur jeta e tyre për të dy të mos kishte asnjë vlerë përveç rolit simbolik të sakrifikimit. Ndërkohë komuniteti është i vrarë nga afër ose nga larg, i zemëruar, i varfëruar, i papunë, me probleme sociale dhe personale dhe në depresion. I gjithë komuniteti është në depresion, e ka humbur shpresën ose sillet si një turp pa kokë pasi i ka humbur piketat e referimit të një modeli të shëndetshëm. Gjërat janë mbrapsht, pranohen vjedhje, vrasje, përfitime personale nga pushteti, ndarja e vendeve të punës sipas përkatësive partiake, rryshfete, etj. Vetëm një gjë nuk pranohet, padrejtësia mbi fëmijët, brezin e ri, prandaj në moshën që fillojnë të formohen si qenie të rritura ata nisen jashtë me studime, për të mos pësuar deformime personaliteti – për ata që mund ta përballojnë, të tjerët pësojnë dëmet mendore dhe emocionale që i’u shkaktojnë ata të dy dhe i gjithë aparati i tyre.

Situata në komunitet është e nderë, e helmatisur, njerëzit nuk e duan njëri tjetrin, madje i ruhen njëri tjetrit, evitohen se po u takuan do përplasen prej atyre të dyve, drejtuesve. Ndjekin në vetmi, ose në mikro-grupet prej 1-2 njerëzish lajmet në TV dhe shokohen, “si e bëri ai maskara këtë”? Po kush maskara? Ai apo ai tjetri? E çfarë ndryshimi ka, kur të dy shtypin e përdhosin të drejtën e dinjitetin e njerëzve të njërës ose tjetrës palë? Sido që ta marrësh edhe njëri edhe tjetri nuk janë në rregull pasi nuk arrijnë dot të garantojnë jetën, të drejtat dhe mirëqënien e të gjithëve. Pra nuk janë të pranueshëm për të gjithë komunitetin.

Ka dhe që thonë “ata janë e keqja jonë, e keqja e komunitetit, e të ardhmes. Si t’ia bëjmë që të çlirohemi prej tyre? Të kërkojmë të japin dorëheqjen. Edhe po e bënë do të kishte zgjedhje dhe po ata do ishin kanditatët. E çfarë do ndryshonte? Filiza të reja dhe të forta që mund të mbijetojnë në mesin e kaosit nuk ka. Atëhere kush do na shpëtojë?” Vërtet pyetje pa përgjigje ose më saktë me përgjigje që të shtyn në fatalitet. Ku janë njerëzit e mirë? Pse nuk arrijnë ata të drejtojnë? Ndoshta kopshtarët e të ardhmes nuk kanë bërë punë të pastër se dhe ata janë të zhytur? Ka që përfundojnë “i kemi sytë të ngritur nga qielli dhe nga perëndimi”. Si gjithmonë. Po shpëtimi vjen nga brenda, nga forca e arsyes dhe e mira që njerëzit e mirë mbjellin. Po me sa duket ata kanë rënë në plogështi ose janë shumë pak.

Pas një fundjave të ngarkuar me dhunë, vdekje, përplasje, sharje, akuza, kërcënime, të hënën njerëzit do i kthehen jetës së përditshme. Asgjë nuk do të ketë ndryshuar në realitetin e tyre, as në shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë. Ata të dy do të jenë prapë aty duke shtypur çdo shpresë.

Të jetosh midis skenave

Kjo ngjarje mund të ndodhë kudo, në çdo qytet të infektuar nga ethet e ndërtimit të pakontrolluar, ku hapësirat publike dhe pemët zhduken për t’i lënë vendin ndërtesave shumëkatëshe. Në çdo qytet që ka pësuar transformim dhe ka marrë tipare të reja të mbivendosura si një implant jo i suksesshëm. Në çdo qytet ku ka shumë anomali, përzierje të varfërisë ekstreme me pasurinë e dyshimtë dhe mungesë rrjetesh sociale mbështetëse. 


Por ka shumë të ngjarë që një ngjarje e tillë të ndodhë në vende ish-komuniste ku sëmundjen e kolektivizimit e ka zëvendësuar virusi i individualizmit dhe i gllabërimit të hapësirave publike për qëllime personale. Mirëqënien sociale për të gjithë nuk e ka arritur dot asnjë sistem. Sistemet komuniste u munduan dhe në fund arritën në një formacion kancerozokriminal ku individët/klanet drejtuese i bashkonte shtypja e të tjerëve. Po dhe sistemet liberale fshehin shumë nën sipërfaqen e jashtme të ndriçuar. Tepritë e pushtetit, pushteti i parasë, të pastrehët e të papunët janë të vërteta të pranishme që të vrasin sytë. Kudo po të jesh i vogël, i veçuar dhe pa të ardhura je në skaj. Por historia e Dinos dhe Betit nuk mund të ndodhë në një qytet të një sistemi liberal ndoshta për faktin se mirëqënia e akumuluar dhe humanizmi shoqëror i kanë ruajtuar dhe shtuar hapësirat publike. Dino dhe Beti do ta gjenin një stol në një park ku të uleshin e të merrnin pak frymë përpara se të vazhdonin rendjen e tyre nëpër qytet. 


Dino jeton në qytetin T, një qytet ku njerëzit jetojnë midis skenave. Për të shkuar në skenë atyre i’u duhet të dalin në rrugë me këmbë ose me makinë ndonjëherë dhe me autobuz. Preferenca është për shëtitjen me makinë, që të ruan nga pluhuri, nga shiu ose dielli dhe nga njerëzit që mbajnë erë. Mjeti më pak i preferuar është autobuzi, ku shanset janë të larta që të shikosh ndonjë ushtar në ereksion t’i ngjitet mbrapa ndonjë vajze ose ndonjë hajdut xhepash në veprim. Ka dhe propozime të hapura për kafe por që nënkuptojnë atë gjënë tjetër me pagesë. Dino duke mos pasur makinë dhe meqënëse jeton afër qendrës ecën gjithmonë në këmbë. E njëjta situatë përsëritet kur njerëzit kthehen nga skena në shtëpi. Shumë të tillë pasi kalojnë disa orë në skenë i hipin makinave ose taksive dhe kthehen në kutitë e tyre të rehatshme. Njerëzit mundohen ta reduktojnë kontaktin me realitetin sa më shumë. Edhe kur ecin në këmbë ata janë si robotë, shohin vetëm drejt dhe ecin me shpejtësi. Brenda shtëpive që janë një lloj skene në vetvete të gjithë ndjehen të sigurt, të qetë dhe pa ngacmime. Shtëpitë në përgjithësi i kanë të rregulluara me shije, të pastra dhe të rehatshme. Ditët kur jetonin dy-tre familje në një shtëpi kanë shkuar. Tani jeton çdo familje më vete dhe jeta është bërë më private. Ajo që i bën shtëpitë si skena është trajtimi i tyre si kuti të veçuara nga bota ku rëndësi ka vetëm mirëqënia dhe qetësia e të zotëve të shtëpisë. Shtëpitë nuk shihen si kuti të ndërlidhura me njëra-tjetrën në një rrjet më të gjerë që është pallati ose rruga por si bunkere të izoluara ku rregulli i brendshëm dominon mbi atë të jashtmin. Si pasojë pallatin, rrugët, ato që janë të përbashkëta njerëzit i shikojnë si territor i askujt. Për ato pjesë duhet të kujdesen autoritetet të cilave njerëzit i‘a bëjnë jetën të vështirë duke mos bërë pjesën që i‘u takon. Elementi që i bën shtëpitë edhe më shumë të ngjashme me skenat është kutia televizive. Programet kryesisht të huaja, krijojnë përshtypjen te njerëzit se ajo që shikojnë është pjesë e asaj që jetojnë. Kur ndërkohë realiteti në T është shumë i ndryshëm nga realiteti i filmave amerikanë, emisioneve dëfryese italiane, programeve muzikore vendase dhe të huaja, apo edicioneve të lajmeve ku ai nuk gjen asnjë reflektim. Nga aktorët vendas më të transmetuar janë politikanët, që flasin përpara “kutive regjistruese”, me fjalë të përgatitura ose me një qëllim të caktuar. Më pas vijnë analistët që komentojnë mbi politikanët sërish nëpër studio ose përpara kamerave, të përgatitur. Njerëzit në T e kanë pasion muzikën dhe kalojnë shumë kohë duke shijuar video e regjistrime këngësh të një stili surrogat orientaloballkanik ku shfaqen vajza bukuroshe, që qajnë vuajtjet e dashurisë. Sporti është pjesë e programeve televizive dhe merr rëndësi shumë të madhe gjatë kampionateve botërore, europiane dhe ligave të ndryshme. Interesi është në përgjithësi për skuadra të huaja dhe lojtarë vendas që luajnë në skuadra të huaja. Ka një mbulim sipërfaqësor të problemeve sociale, si dhuna, vrasjet, vetëvrasjet, kriminaliteti por kur emisionet fokusohen në këto probleme njerëzit e humbasin durimin dhe e fikin TV. Bëhen gati për të dalë mbasdite për t’u takuar me miq e për të kaluar disa orë të këndshme në ndonjë nga lokalet e preferuara. Edhe shtëpia e Dinos është e rehatshme, edhe pse e vogël. Ka një dhomë e një kuzhinë ku Dino jeton me gruan dhe djalin. Kanë ndërruar shtëpi disa herë por kjo e tanishmja i‘u pëlqen më shumë ngaqë është afër qendrës, afër tregut e dyqaneve. “Jo jemi mirë keq të qahemi, thotë Dino shpesh”. Dino është natyrë e butë, i kënaqur me jetën dhe njeri që s’i bie kujt në qafë. Megjithëse shpeshherë kanë vështirësi ekonomike nuk i bien në sy as miqve as kushërinjve. Jetojnë me pensione dhe me rrogën e djalit që punon si elektriçist. Ai nuk merr shumë, se është punëtor i thjeshtë. Djali i Dinos seç ka, nuk dihet, është tip i mbyllur, nuk shoqërohet, dhe vazhdon të jetojë me prindërit edhe në moshën 40-vjeçare. Kur e pyesin si e ke djalin Dino thotë “Lëre aman, ç’e pyet” dhe me aq e mbyll atë temë. Megjithatë për atë që kanë Dino dhe Beti janë të kënaqur se i‘u del për të ngrënë, për të blerë ndonjë veshje e për të dalë ndonjëherë në të rrallë. 


E dala është një nga aktivitetet e preferuara të njerëzve në T. E dala nëpër lokale është një art të cilin disa e zotërojnë shumë mirë dhe e shesin si shërbim e të tjerë e shijojnë si konsumatorë. Ky lloj arti ecën mirë pasi njerëzit në T janë siç i thonë qeflinj, iu pëlqejnë shëtitjet, konsumi e në përgjithësi shërbimi. Janë të prirur për një stil jete hedonist ku mund të rrinë me orë të tëra duke biseduar për këtë e për atë. Edhe pse jo të gjithë janë shumë të pasur nuk shqetësohen shumë pasi në nevojat imediate kanë ushqimin, veshjet, shtëpitë dhe qejfet. Ah dhe makinat të domosdoshme për të bërë qejfin ashtu siç duhet! Në artin e qejfit njerëzit në T kanë përparuar kaq shumë sa kanë krijuar vende të mrekullueshme, të rregulluar paq, me gjelbërim e pastërti ku njeriu ndjehet mirë. Në vende të tilla që ngjajnë me skena çdo gjë është perfekte, krejt e kundërta e kaosit, ndotjes e rrëmujës që hasen kudo. Skenat janë të ndërfutura midis rrugëve e shesheve të ngarkuar, si oaze prehjeje. Ato janë kudo si brenda qytetit ashtu dhe jashtë nëpër rrethina. Janë të madhësive dhe niveleve të ndryshme. Disa të vogla, disa lokale lagjeje të një niveli të ulët, të tjera më të mëdha me kolltuqe, kondicioner, pllaka mermeri e të tjera me shatërvan, kopësht, pishinë, vend lodrash për fëmijë, etj etj. Lokalet skena mbulojnë çdo nevojë dhe dëshirë të qytetarëve dhe i‘u gjenden atyre në çdo rast gëzimi apo hidhërimi. Për ditëlindje fëmijësh e të rriturish, fejesa, martesa, diplomime, e raste më pak të gëzueshme si humbja e të dashurve. Hapësira brenda territorit të lokaleve është e rregulluar me kujdes, ndërsa ajo përreth është në gjendje të mjerueshme. Shpeshherë madje hapësira ngjitur me lokalin skenë përdoret si vend ku lokali hedh plehrat. Skenat e shumëllojshme krijojnë rregull artificial në mes të kaosit mbizotërues dhe i dhurojnë qytetarëve çaste qetësie. Dhe janë natyrisht me pagesë, jo pronë publike. Jeshillëku dhe pastërtia, janë cilësitë më të mira dhe të kërkuara të skenave, njerëzit i vlerësojnë. Pa dyshim, njerëzit e duan të pastrën, jeshilen dhe rregullin por nuk janë të aftë ta prodhojnë në sasi të mëdha, kudo dhe për të gjithë. Prandaj paguajnë disa të tjerë që bashkë me kafet dhe picat ju marrin para dhe për skenën. Ndërsa ata që nuk munden nuk e shijojnë skenën. Ecin në rrugë me zhurmë dhe pluhur, shikojnë mbivendosjet e shëmtuara të pallateve komuniste përkrah pallateve të reja 14-katëshe. Kalojnë nga trotuari në rrugë pasi trotuari bëhet pjesë e lokalit. I’u ruhen makinave që i marrin si shënjestër dhe i ngjajnë lojtarëve të një aventure për mbijetesë. Nuk kanë ku të ndalojnë, të marrin pak frymë ose të shijojnë pak gjelbërim. 


Është vetëm një park ku mund të shkosh pa pagesë, me stola, bar dhe pemë. Por për fat të keq edhe ai është lulishtja e një skene, nga më të mëdhajat dhe përballet çdo pasdite me turma pensionistësh e njerëzish me pak të ardhura. Këtyre i‘u shtohen një armatë njerëzish të tjerë që i shohin turmat dëfryese si parajsë për të shitur kinezërira, libra erotikë, libra me çmim të ulur ku mund të blesh veprat e Enver Hoxhës, por dhe botime me autograf, misra të pjekur e kokoshka. Njerëz si Dino dhe Beti nuk mund ta përballojnë të shkojnë shpesh nëpër lokale. Por nevojat imediate i mbulojnë dhe e konsiderojnë veten të lumtur. Në fakt ata i ndihmon dhe fakti që janë mirë me shëndet dhe nuk i‘u duhet të shpenzojnë para nëpër spitale për shërbime gjysmake ku doktori të operon aq sa ke fuqi të paguash. Nëse nuk e ka hequr të gjithë tumorin nuk prish punë se ka hequr më të madhen. “Xhaxho nëse do të jesh i shëndetshëm duhet të paguash atë që duhet, se unë ja ku i kam në rradhë presin mileti”, mund të ta presë doktori pa të keq. Por shyqyr Dinos e Betit nuk i‘u është dashur të shkojnë nëpër spitale, se as çerekun e operacionit nuk do të mund të paguanin dot e do ngeleshin me çerek veshke bie fjala. Betit i kanë rënë dhëmbët dhe dentisti, një njeri me dorë në zemër, ka pranuar t’ia heqë nga një çdo muaj, me pagesën nga pensioni. Por për t’ia vënë nuk dihet se kur pasi pensionet e të dyve nuk dalin, as pas një viti sikur t’i ruanin. E ndërkohë i‘u duhet të jetojnë e të ushqehen. Po Beti grua shpirtgjerë e kalon vështirësinë e mungesës së dhëmbëve me të qeshura e me fjalë të ëmbla. Madje shkon dhe për qoka edhe pse nuk i ka mundësitë, vetëm që mos mbetet e harruar. E shkreta Beti qesh e marroset me gjithëshpirt dhe e fsheh gojën e zhveshur me dorë ose i mban buzët e mbyllura. 


Dino del në mëngjes për pazare, blen bukë, ndonjë zarzavat, pak qumësht e djathë, në të rrallë pak mish dhe kthehet në shtëpi. Beti merret me shtëpinë, pastron, gatuan dhe pret Dinon për të bërë drekën. Djali niset në punë në mëngjes herët por dhe kthehet herët, rreth orës dy është në shtëpi. Hajnë drekë të tre bashkë e pastaj shlodhen, shikojnë televizor, lajmet, telenovelat e të tjera emisione të shumtë. Po të duash mund ta kalosh lehtësisht mbasditen përpara televizorit, nga një kanal në tjetrin, nga lajmet e njërit te tjetri. Pastaj fillojnë telenovelat, braziliane, italiane, seritë televize, dosjet e analistëve, pastaj sërish lajme, për të parë zhvillimet në dy-tre orët e fundit të mbasdites, pastaj film, një tjetër emision analistësh e kështu me rradhë. Dino e Beti e kalojnë si e kalojnë ditën, por e kanë të vështirë mbasditen, mërziten ashtu gjithë ditën përpara televizorit. Ndonjëherë dalin për një shëtitje me këmbë gjatë rrugës kryesore ku jetojnë. Ajo është një nga rrugët më të mira në T, ka trotuar të shtruar mirë, ka pemë dhe semaforë e vija të bardha dhe Dinos e Betit i’u shijon shëtitja. Ndonjëherë shkojnë deri te parku kryesor, te ai parku pa pagesë po atje është plot me njerëz e shpesh nuk gjejnë dot vend. Kështu që kthehen, blejnë ndonjë akullore rrugës me një top e ecin ngadalë për në shtëpi. Rrallë herë dalin dhe për për të pirë diçka, ulen në ndonjë nga skenat e mira brenda qytetit dhe jetojnë për pak çaste atë që i’u duket si ëndërr. Të tjerët i’u duken të bukur, të veshur mirë e të qeshur. Ata nuk i vëren njeri natyrisht. Por s’prish punë ata shijojnë gjelbërimin e skenës dhe pamjen e rregullt për syrin. Por prapë kthehen në këmbë.

Një gjë nuk kanë krijuar ende sipërmarrësit në T. Skena në rrugë ose rrugë që janë skena. Sikur të kishte skena dhe për rrugët patjetër që njerëzit do preferonin të ecnin në ato rrugë. Natyrisht ato do ishin gati dhe të paguanin për të mos parë ndotjen, varfërinë dhe kaosin. Disa njerëz natyrisht jo të gjithë. Do ishin po ata që shkojnë në lokale, komplekse e restorante. Një rrugë-skenë do ishte një rrugë model, me trotuare, pemë, lule, kosha plehrash dhe plehra në kosh; makinat do ndalonin te vijat e bardha dhe do kishin prioritet këmbësorët; do kishte stola dhe kënd lojrash për fëmijë. Dino dhe Beti do i’a lejonin ndonjëherë luksin vetes të kalonin në rrugët skena. Një herë në muaj do shkonin në skenat lokale e njëherë në muajin tjetër në skenat rrugë.


Botuar te Milosao tetor 2010

Na duhen ca të rritur

Na duhen ca të rritur për të drejtuar vendin. Na duhen ca të rritur për të marrë përsipër përgjegjësinë e roleve drejtuese, si kryetar i shtetit, drejtues i qeverisë, i parlamentit, i opozitës, i gjykatave, i policisë, i ministrive, i bashkive dhe komunave, i gazetave dhe televizioneve. Na duhen ca të rritur që të drejtojnë të vegjël e të rritur. Ajo që kemi deri tani janë një grup të rinjsh, që ose e kanë lënë shkollën përgjysëm ose e kanë mbaruar por i kanë harruar ato që kanë mësuar.

Duket se ata që na drejtojnë sot kanë harruar disa fakte elementare si për shembull: ata punojnë për të mirën tonë dhe kjo përfaqëson jo vetëm elektoratin e tyre por dhe elektoratin e kundërshtarëve të tyre. Ata mund të kenë harruar që njerëzit duan zhvillim, duan të ecin përpara dhe jo të rrinë në vend ose të kthehen mbrapa. Ata kanë harruar se kur piqen bashkë dy faktorë, kriza politike me krizën ekonomike situata duhet parë kujdes dhe profesionalizëm. Pikërisht pasi piqen ato dy faktorë shumë të rëndësishëm nuk i duhet hedhur benzinë zjarrit por duhen sheshuar mosmarrëveshjet dhe duhet punuar me qetësi për të evituar më të keqen.

Drejtuesit tanë nuk kanë kohë për të parë realitetin me syrin e qytetarit të thjeshtë. Ata nuk e shikojnë se distanca midis tyre dhe njerëzve është shumë e madhe dhe se ata i ngjajnë balonave fluturuese.

Pasi janë të zënë dhe të rrethuar nga bindjet e tyre, si dhe nga mbështetës të flaktë që tundin kokën ndaj çdo mendimi të drejtë ose të gabuar drejtuesit tanë nuk shohin dhe nuk e perceptojnë se çfarë mendojnë njerëzit për ta.

Njërëzit janë të lodhur me ta, të neveritur dhe të zhgënjyer. Si me njërën palë ashtu dhe me tjetrën. Njerëzit janë të konsumuar dhe pranë shpërbërjes mendore prej sjelljeve të tyre fëminore. Njerëzit nuk e kuptojnë dot se si ka mundësi që drejtuesit tanë të jenë kaq të paaftë, kaq kokëfortë, kaq të shkëputur sa të mos e shikojnë që po na mbajnë peng. Po na mbajnë peng në shumë drejtime. Ndërkohë që vende të tjera përparojnë dhe marrin vendime po aq të rëndësishme me konsensus dhe duke vënë të parin interesin kombëtar.

Në ditët e fundit të zgjedhjeve parlamentare britanike interesi kombëtar u bë togfjalëshi më i lakuar por dhe kushti përcaktues i vendimeve politike. Për interesin kombëtar Gordon Brown njohu humbjen dhe dha dorëheqjen. Për interesin kombëtar David Cameron ftoi në një koalicion të hapur dhe të plotë Nick Clegg. Për interesin kombëtar Nick Clegg pranoi edhe pse diferencat midis partisë së tij liberal-demokrate dhe partisë konservatore të David Cameron janë të mëdha. Por përderisa elektorati foli dhe tha që asnjë prej kandidatëve nuk e meriton besimin për të qeverisur i vetëm, drejtuesit politikë për hir të interesit kombëtar e pranuan dhe gjetën zgjidhje.

Interesi kombëtar në vendin tonë mund të tingëllojë si fjala më boshe pasi është gjëja më e neglizhuar dhe më e nëpërkëmbur gjatë gjithë historisë tonë. Por me fjalë të thjeshta interesi kombëtar është ajo që është më e mirë për vendin tënd, ajo që të bën krenar.

Por le të kthehemi në një realiteti tjetër, te drejtuesit tanë. Ata jo vetëm që nuk e mendojnë dhe as e përmendin interesin kombëtar por duke e injoruar atë ata na injorojnë ne haptazi. Duke na injoruar drejtuesit tanë nuk na trajtojnë si qytetarë por si kavie eksperimentesh. Ata duan të eksperimentojnë me ne gjëra ekstreme, sa na mban durimi, kush është nga ata më kokëfortë se tjetri, kush është më i zoti për të paralizuar vendin, kush mund të mbledhë më shumë njerëz në protesta për demonstrim forcash, kush mund të provokojë më shumë trazira, kush është më i flaktë në mbrojtjen e të drejtave tona – të shkelura që në fillim – në mënyrë të gënjeshtërt.

Drejtuesit tanë ngaqë janë shumë të shkëputur nuk e shikojnë se në fakt ne i kuptojmë të gjitha manovrat e tyre. Ata mundohen ta fshehin etjen për pushtet dhe i vënë lloj lloj emrash frymëzues, si mbrojtja e votës së lirë apo mbrojtja e lirisë. Por ne mund ta dallojmë që pas këtyre slloganesh fshihet e vërteta, dëshira e pakufishme e drejtuesve tanë për të qenë mbartësit direkt të pushtetit.

Drejtuesit tanë nuk janë të llojit të llojit që bën kompromisë dhe pranon të lëshojë diçka në emër të harmonisë dhe bashkëjetesës paqësore. Ata e duan çdo gjë për veten e tyre dhe për klikën që i ka mbështetur.

Harmonia dhe respektimi i kundërshtarit janë dy parime që drejtuesit tanë nuk i njohin ndoshta prej moshës së re ndoshta pasi nuk e kanë pasur pjesë të edukatës. Prindërit – « baballarët politikë » – nuk i kanë edukuar mirë, nuk i kanë transmetuar parimet themelore të edukatës shoqërore: respektoji të gjithë dhe kërko harmoninë.

Meqë jemi në këtë pikë, ku prej një viti parlamenti nuk funksionon pasi deputetët e opozitës nuk i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve, ku qeveria që ka përgjegjësinë më të madhe pasi është përfaqësuesja zyrtare e interesave të të gjithëve bën veshin e shurdhër dhe vazhdon të veprojë sikur çdo gjë është normale, kur ndërkohë nuk është, unë si njeri i thjeshtë mendoj se na duhen ca të rritur.

Na duhen ca të rritur që ta ndalojnë këtë lojë të shumtuar dhe fallco – pa ndihmën dhe “bërjen për një lek nga ndërkombëtarët” – se gjasme po na mbrojnë ne dhe votën tonë dhe lirinë tonë dhe interesat tona. Ndërkohë në fakt ata po kacafyten si gjela për fitore duke na zhvendosur ne edhe më në cep të arenës shoqërore – edhe pse ne duhet të jemi në qendër të saj.

Na duhen ca të rritur që të analizojnë me qetësi gjendjen ekonomike, pasojat e krizës financiare ndërkombëtare, pakësimin e dërgesave të emigrantëve, izolimin e ekonomisë tonë që importon më shumë se sa eksporton, produktivitetin e ulët, performancën e dobët të sistemit arsimor që nuk prodhon burimet njerëzore që do ta zhvillonin vendin, mungesën e tregut të pasurive të paluajshtme që shërbejnë si rrënjët e domosdoshme të një sistemi ekonomik modern.

Vetëm disa të rritur do e kuptonin menjëherë absurdin e sjelljes së tyre, të situatës ku kemi arritur dhe rrezikun se kjo situatë mund të dalë jashtë kontrollit. Vetëm disa të rritur do e shikonin qartë që po na dëmtojnë ne dhe të ardhmen tonë.

Në vend që të gjithë si shoqëri të hedhim hapa drejt së ardhmes, drejtuesit kryeneçë e egoistë na mbajnë në vend dhe shpikin lloj lloj stilesh për ta përforcuar mbetjen në vend.

E gjitha kjo sepse kur ka krizë, trazira, rrëmuja, viktima, është më e lehtë për të akuzuar dhe për të gjetur fajtorë. Kriza është një nga mënyrat e përdorura në vendet ish-diktatoriale për të ndarë pushtetin. Të gjithë ata që ose e prodhojnë krizën ose e mbështesin atë ose nuk bëjnë asgjë për ta (para)ndaluar janë njëlloj fajtorë të përdorimit të metodave të errëta dhe jo demokratike për ndarjen e pushtetit.

Me siguri po të kishim disa të rritur për drejtues nuk do të kishim arritur në këtë pikë. Situata do të ishte zgjidhur më herët dhe nuk kishim pse të trajtoheshim sërish si një nga ato vendet ku ndarja e pushtetit bëhet përmes krizës dhe jo përmes votës.

Laura Shimili botuar Gazeta Shqip, 21 maj 2010

Si mund të dalim nga injorimi i ligjit?

Pasi lexova një shkrim si zakonisht shumë të goditur të z. Fatos Lubonja (Nga shkelësit për shkelësit, 29 janar 2010) fillimisht u nisa të vendos një koment në faqen e tij të internetit. Por pak nga pak, nga dëshira për të shprehur një mendim të strukturuar dhe jo në formë anonime, komenti u bë artikull.

Tre ishin pikat fillestare të mendimit që shkrimi dhe komentet e lexuesve më frymëzuan: 1. respekti i ligjeve nuk bëhet me forcë; 2. ne ndodhemi në situatën ku ndodhemi si rezultat i një evolucioni kompleks fazash historike dhe shoqërore që duhen zbërthyer; 3. zgjidhja është po ashtu komplekse por ajo duket.

Ajo që më pëlqeu në shkrimin e z. Lubonja ishte pikënisja nga një shembull aktual, si pirja e cigares në lokale ndërkohë që ligji e ndalon, për të trajtuar problemin e rëndësishëm të raportit të shqiptarëve me ligjin.

Diskutimi i raportit të shqiptarëve dhe jo i shoqërisë shqiptare me ligjin më pëlqeu gjithashtu, sepse përdor fjalët dhe prizmin e duhur. Kjo pasi termi shoqëri nënkupton funksionimin e ligjit që garanton bashkëjetesën paqësore të një grupi njerëzish dhe mbrojtjen e tyre nga strukturat që ata krijojnë.

Çfarë thotë mendimi

Ka disa teori mbi mënyrën se si krijohen rregullat dhe shoqëritë nga filozofët e “kontratës sociale” (më të njohurit John Locke, Thomas Hobbes, Jean Jacques Rousseau) që e kanë diskutuar çështjen në shekullin e 17 dhe të 18, edhe pse fillimet e diskutimit i gjejmë që në antikitet.

Me gjithë ndryshimet midis tyre mbi rolin që secili i jep shtetit (Locke e lidh me mbrojtjen e pronës private, Hobbes me sigurinë dhe Rousseau me idenë e barazisë) të tre filozofët kanë si premisë fillestare ekzistencën e një kontrate që njerëzit lidhin midis tyre dhe me shtetin që ata krijojnë që në këmbim iu garanton një jetë të sigurt, me mundësi zhvillimi materiale dhe mendimi.

Teoria e Locke, për shembull, thotë që njerëzit fillimisht bëjnë një kontratë horizontale me njëri-tjetrin, që i shndërron në një grup të organizuar dhe pastaj një kontratë vertikale me shtetin.

Edhe te Hobbes njerëzit vendosin të lidhin një kontratë për të dalë nga “gjendja e natyrës” që është një gjendje e vazhdueshme lufte. Ata reduktojnë liritë natyrale dhe ia japin ato shtetit ose sovranit që ai e quan Leviathan sipas një figure mitike, një monstër deti që ngjall frikë dhe bindje absolute. Në sistemin e Hobbes, pushteti është absolut, pasi kështu ai garanton funksionimin efektiv të shtetit. Për këtë aspekt, mendimi i tij është kritikuar edhe pse pranohet që duke i dhënë të drejtën e vetëmbrojtjes individëve kundër pushtetit absolut nëse jeta e tyre është në rrezik, ai e vë në pikëpyetje pushtetin absolut.

Rousseau thotë se kontrata sociale e shkëput njeriun nga interesi personal dhe e bën atë të veprojë në emër të interesit të përgjithshëm. Ai nuk ia jep të drejtën e mbrojtjes shtetit ose sovranit, por vetë njerëzve.

Pse ne sillemi si sillemi me ligjin

Shoqëria shqiptare për arsye komplekse historike dhe zhvillimi nuk ka pasur një moment specifik, ku ka kuptuar dhe vendosur që është më mirë të jetosh me ligje se sa pa ligje. Më shumë se sa një kontratë sociale, ajo që ka ndodhur ka një qenë një lëvizje spontane, e lindur si reagim ndaj ngjarjeve të jashtme.

Për të parë raportet e shqiptarëve si një grup i organizuar me ligjin, nuk duhet të shkojmë shumë larg, pasi format e para të organizimit si një shoqëri filluan të shfaqen vetëm në shekullin e 20. Ato përkojnë me formimin e identitetit kombëtar në vitet e rënies së perandorisë turke.

Pakti social mund të lindë midis individësh të lirë, të bashkuar dhe të ndërgjegjshëm (në gjendje të përdorin arsyen) për krijimin e një sistemi të organizuar shoqëror.

Në këtë kuptim, periudha pas pushtimit turk paraqiste një mundësi për shoqërinë shqiptare, për të lidhur një pakt social, pasi dy nga kushtet, bashkimi dhe liria, kishin filluar të formoheshin.

Ndërkohë në periudhat e mëparshme të pushtimit turk si dhe të perandorive Romake dhe Bizantine, as nuk mund të flasim për mundësinë e paktit social, pasi popullsitë ishin të ndara dhe të pushtuara.

E vetmja referencë përpara shekullit të 20 për sa i përket ekzistencës së një bashkësie rregullash të krijuara nga popullsitë shqiptare është Kanuni, që përdorej si sistem ligjesh për vetadministrimin e fiseve malësore. Me gjithë rëndësinë e tij historike, Kanuni nuk shërbeu si një sistem i përkohshëm, nga i cili më pas në kushte më të përshtatshme, të kalohej në stadin e paktit social.

Për më tepër, përdorimi i Kanunit ka krijuar dy vështirësi nga pikëpamja e trashëgimisë. E para është çështja e vrasjes dhe dënimi i saj përmes marrjes së gjakut. Siguria e jetës është problemi më i rëndësishëm i çdo kontrate sociale, ku dënimi i vrasësit bëhet nga ligji dhe jo nga individët.

E dyta është operimi i tij si një sistem ligjesh paralel me sistemin e përgjithshëm që krijoi një traditë sfiduese, edhe kur sistemi mbizotërues nuk ishte më i pushtuesit.

Pakti social në dekadat e para të shekullit të 20 nuk u shfaq. Trashëgimia historike e përçarjeve, ushtritë e huaja dhe niveli i ndërgjegjësimit shumë i ulët, ishin më të forta se sa uniteti dhe liria. Prapambetja e trashëguar shoqërore dhe ekonomike i mbante peng përpjekjet. Megjithëse kishte individë të edukuar e përparimtarë, ata nuk përbënin elita me fuqi ekonomike dhe sociale, që të bëheshin nismëtaret e paktit social.

Luftërat Botërore të shekullit të 20 dhe ardhja në fuqi e elementëve komunistë e larguan dhe për një shekull tjetër mundësinë e formimit të kontratës sociale.

Regjimi komunist krijoi një shtet të fortë me ligje të rrepta, por krejtësisht të padrejta, pasi përligjnin shtypjen e shumicës nga një pakicë.

Në periudhën pas-komuniste, situata u komplikua edhe më shumë, për shkak të rrëzimit të trupit të ligjeve komuniste.

Vazhdojmë të jemi në kushtet e bashkimit kombëtar dhe të lirisë, por niveli i ndërgjegjësimit për nevojën e një kontrate midis qytetarëve dhe shtetit vazhdon të jetë i ulët. Për më tepër, mosrespektimi i ligjit njeh një formë të re, atë të trafiqeve ilegale.

Në vitet 1990-2000 u shfaqën premisat për zhvillimin e trafiqeve ilegale në bashkëpunim me strukturat drejtuese. Aktivitetet ilegale për arsye ekonomike, politike dhe gjeografike gjetën terren të përshtatshëm dhe u zhvilluan. Në fazën e rritjes, ato u rrënjosën duke përdorur aktivitetet legale si mbulesë, në sistemin ekonomik dhe politik deri në ditët e sotme.

Ky vështrim i përmbledhur historik zbulon mbivendosjen e sjelljeve të ndryshme ndaj ligjit, që shfaqet sot si një sanduiç praktikash që anojnë më shumë në anën e mosrespektimit të ligjit se sa në favor të tij.

Për të parë pak më qartë sjelljen ndaj ligjit duhet të dallojmë nivelin mikro, të individëve në jetën e përditshme dhe nivelin makro të drejtuesve të zgjedhur si mbrojtësit e ligjit.

Në nivelin mikro, dualiteti midis ligjit (ndalimi i duhanit) dhe praktikës (pirja e duhanit kundër ligjit) i ka rrënjët jo vetëm te periudha turke dhe dualiteti midis rregullave lokale dhe ligjit zyrtar, por dhe te sistemi komunist. Duke qenë antihuman, ai zhvilloi “traditën” e praktikave antiligjore të njerëzve, si përpjekje legjitime për të mbijetuar (si vjedhja, spiunimi, korrupsioni).

Në nivelin makro, ndodhi legjitimimi i praktikave antiligjore nga vetë mbrojtësit e ligjit dhe inkurajimi i tyre te bashkëpunëtorët. Kjo praktikë i ka sidomos rrënjët në sistemin komunist që i bëri “të zakonshme” praktikat e vrasjes dhe eliminimit nga ana e klasës drejtuese për pushtet dhe privilegje.

Pas komunizmit, sanduiçit historik iu shtua edhe forma e moszbatimit të ligjit për interesa ekonomike, në lidhje me aktivitetet ilegale nga segmente të shtetit dhe e përfshirjes së vetëdijshme në to të individëve.

Ligji bashkëjeton rëndom me të kundërtën e tij edhe në shoqëri më të konsoliduara, por ndryshimi me shoqërinë tonë qëndron në raportin e forcave midis atyre që e respektojnë dhe atyre që nuk e respektojnë atë.

Nga kjo pikëpamje, shoqëria jonë mund të ndahet në tre grupe. Ata që nuk e respektojnë ligjin, pasi nuk ia njohin të mirat dhe nuk e vlerësojnë. Ata që nuk e respektojnë me qëllim, për shkak të interesave personale. Dhe ata që përpiqen ta respektojnë, por njëkohësisht e injorojnë mosrespektimin nga dy grupet e para dhe kështu bien në mosrespektimin e ligjit në mënyrë pasive.

Njerëzit si z. Lubonja që ishin jashtë kafes për të pirë cigare bëjnë pjesë në grupin e tretë që fatkeqësisht janë një pakicë, ashtu siç e tregon fakti që shumica janë zakonisht brenda lokaleve duke pirë cigare. E marrë si e tërë, shoqëria vazhdon të ketë një nivel shumë të ulët ndërgjegjësimi dhe dinamike, në favor të respektimit të ligjit që vazhdon ta mbajë atë larg mundësisë së kontratës sociale.

Si mund të dalim nga injorimi i ligjit?

Zgjidhja e problemit pse shqiptarët nuk e respektojnë ligjin më duket se qëndron në duart e pakicës që ia kupton rëndësinë. Ajo është e vetmja forcë që ka interes që ligji të zbatohet. Ata që nuk duan t’ia dinë për ligjin e kanë pranuar këtë sistem. Ata që nuk e respektojnë për qëllime ekonomike nuk kanë interes ta zbatojnë atë.

Nëse pakica e ndërgjegjshme nuk bën asgjë, asgjë nuk do të ndryshojë. Ajo do vazhdojë të vuajë, të japë para nëpër spitale, për diploma, për leje ndërtimi dhe të pijë cigare vetëm në të ftohtë, ashtu si thotë dhe z. Lubonja.

Ndaj këtij problemi, zgjidhja që propozon z. Lubonja në formën e “rezistencës së përditshme ndaj dhunës strukturore të sistemit” është një fillim i mirë. Z. Lubonja përmend revoltën dhe “masa të revoltuarish që imponojnë pastaj ndryshimin”, por nuk i shkon deri në fund mendimit se si mund të arrihet t’i shndërrosh ata që sot e injorojnë ligjin në “të revoltuar në emër të së drejtës”.

Pjesa tjetër e alternativës ka dy aspekte. Njëri është organizimi i pakicës dhe kundërvënia e saj ndaj gjendjes aktuale. Aspekti tjetër është i lidhur me punën e pakicës për të ndërgjegjësuar shumicën. Duke përjashtuar elementët kriminalë, mund të punohet me qytetarët që nuk janë “të ndërgjegjshëm” për të mirat e ligjit.

Përmes kombinimit të këtyre dy komponentëve mund të arrihet të paktën në një barazim të forcave.

Respekti i ligjit nuk do vijë vetvetiu nga qytetarët si një kontratë sociale e lidhur midis tyre dhe shtetit, por sërish si një detyrim i përcaktuar nga jashtë. Në ditët e sotme, detyrimi do vijë nga Bashkimi Europian, duke e bërë raportin e shqiptarëve me ligjin përsëri një reagim ndaj një sistemi të jashtëm dhe jo ndërgjegjësim të brendshëm organik, gjë që do të vazhdojë të krijojë probleme dhe në të ardhmen.

Gazeta Shqip, 16 shkurt 2010.

Samiti i Kopenhagenit dhe Shqipëria

Samiti i Kopenhagenit dhe Shqipëria

Ndoshta shumë njerëz do të mendojnë se ç’lidhje kemi ne me samitin e Kopenhagenit. Ne vërtet ishim pjesë e tij por duke qenë se jemi një vend i vogël, deri në 2006 më i varfëri në Europë dhe pa fuqi mbi shtete të tjera nuk kemi pse shqetësohemi.
Sidoqoftë meqënëse në samit shkoi një delegacion shqiptar edhe ne duhet të kemi një pozicion. Jo në formë solidariteti por në formën e shqetësimit të efekteve të ngrohjes globale në ekonominë dhe popullsinë tonë. Këto efekte janë parashikuar nga shkencëtarët të cilët kanë paralajmëruar për rritje të temperaturave, shkrirje të akujve, rritje të nivelit të oqeaneve, si dhe ngjarje klimatike ekstreme, thatësira e përmbytje.
Një pyetje lind atëhere. Cili është mendimi ynë? Por para së gjithash a kemi ne një mendim?
Pyetje e vështirë pasi që të formulohet një mendim duhen analiza, diskutime dhe njohuri mbi një çështje deri diku teknike. Por mbi të gjitha duhet që njerëzit të kenë interes në çështjen e ngrohjes globale ose vetvetiu ose si pasojë e një procesi « edukimi » ose përfshirjeje nga ana e strukturave shoqërore që e kanë në fokus këtë çështje për arsye informimi si mediat ose funksionale si grupimet në favor të mbrojtjes së mjedisit.
Por duke qenë se njohuritë, debati dhe përfshirja shoqërore në lidhje me çështjen e ngrohjes globale në vendin tonë është në nivele afër me zeron, pozicioni ynë në samit i ngjante pozicionit të heshtjes.
Ditën e enjte në 17 Dhjetor Kryeministri në fjalën e tij në samit deklaroi se do ta shndërronte Shqipërinë në një eksportuese të energjisë së gjelbër. Kjo deklaratë shumë e mirëpritur m’u duk shumë e papritur duke qenë se ajo nuk është paraprirë nga një diskutim i çështjes brenda vendit.
Më shumë ajo më ngjau me një deklaratë vizionare që i premton Kombeve të Bashkuara dhe vendeve të tjera, që një vend që shqetësimet ambjentaliste dhe të ngrohjes globale nuk i ka në rend të ditës, papritmas do të bëhet eksportues i energjisë së gjelbër. Aq më mirë për ne, mendova kur lexova këtë lajm por ndoshta duhet të fillojmë të analizojmë se ku jemi, ku duam të arrijmë dhe si do të arrijmë atje.
Adaptimi i ekonomisë tonë me një nivel konsumi energjitik të ulët ndaj një klime të ndryshuar me më shumë nxehtësi, më pak rreshje dhe më shumë erë, mund të bëhet më lehtësisht se në vende me konsum të lartë energjitik. Mund ta kemi më të lehtë nëse ndërgjegjësohemi shpejt dhe fillojmë të parashikojmë masat dhe investimet në infrastrukturë alternative të prodhimit të energjisë si energjia diellore dhe ajo e erës. Nëse zgjohemi vonë pasojat do të jenë të rënda.

Deklarata e Kryeministrit në samit ishe lajmi i dytë që lexova, pas një shkrimi me titull « Vendet e Ballkanit mbeten pasive » (Courrier des Balkans, 17 dhjetor 2009). Nuk po përmend titujt te rubrika « lajme nga bota » të gazetave të brendshme, ku samiti është raportuar si një zhvillim që nuk na prek dhe nuk ka pse gazetarët të paraqesin një perspektivë shqiptare.

Në artikullin « Vendet e ballkanit pasive » thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ishin pjesë zyrtyare e grupeve të përfshira në negociata prandaj dhe pasiviteti i tyre. Por ato nuk u deklaruan përkrahës të asnjë grupimi ndryshe nga shumica e vendeve pjesëmarrëse që ishin pjesë e grupit G77. Në këtë grup ishin anëtarë 130 vende në zhvillim, vende të Bashkimit Afrikan, të shoqatës së vendeve të vogla ishullore, anëtarë të OPEC-ut, Kina, SHBA, India dhe Brazili, Bashkimi Europian, koalicioni për pyjet me lagështirë si dhe ish-republikat sovjetike.

Si mund të intepretohet fakti që Shqipëria nuk e deklaroi veten pjesë të ndonjë grupimi specifik ? Nuk është ajo pjesë e globit ? Në samit nuk kishte ndonjë grupim tjetër, grupi i « të pavarurve », i vendeve që nuk preken nga ngrohja globale pjesë e të cilëve prej mungesës së pozicionit i binte që të ishte dhe Shqipëria. Prej vetë emrit globale, ngrohja që është vënë re sidomos në 50 vitet e fundit i prek të gjithë banorët e Tokës dhe nuk ka se si të jesh jashtë kësaj situate. Vetëm nëse qëndron jashtë prej mungesës së opinionit dhe pret se si do të shkojnë ngjarjet.

Shumë vende në Afrikë dhe Azi, si dhe Australia, kanë filluar t’i ndjejnë pasojat e ngrohjes globale që janë shfaqur me pakësim të sasisë së ujit, thatësira dhe kushte të vështira për bujqësinë.
Në Nepal për shembull pwr shkak tw rritjes sw temperaturave më shumë se mesatarja, me 4 °C ka filluar të krijohet një liqen në lumin e ngrirw Thulagi, një lum akujsh shumë shekullorw (Shenja të ndryshimeve në Himalaja ndërkohë që hapet samiti i Kopenhagenit, The Guardian 6 dhjetor, 2009). Pasojat e shkrirjes së këtij lumi do të ishin katastrofike për të gjithë vendbanimet reth dhe poshtë tij në deltën e Bangladeshit dhe në Indi duke shkaktuar përmbytje, dëme dhe pasoja në industri dhe bujqësi.

Por ngrohja globale nuk prek vetëm vendet e varfëra dhe në zhvillim. Ndoshta këta të fundit nuk kanë mjetet dhe të ardhurat për tu përballur me pasojat por përballë ngrohjes globale ne të gjithë jemi të prekur. Në vendet e zhvilluara pasojat e ngrohjes globale janë të ngjashme, përmbytje, më shumë shira në dimër dhe më shumë nxehtësi në verë.

Në një situatë të tillë ku është bërë e qartë se burimet janë të kufizuara dhe se përdorimi maksimal i tyre ka pasoja të dëmshme mbi planetin pasi shkakton ngrohjen e tij, shkencëtarë, ekonomistë, qeveri, biznese dhe aktorë të shoqërisë civile po kërkojnë zgjidhje në energjitë e rinovueshme dhe në modele ekonomike që nuk promovojnë shfrytëzimin maksimal të burimeve.

Për të parandaluar përkeqësimin e situatës dhe për të reduktuar prodhimin e gazrave me efekt serrë ku pjesa dërrmuese është dioksidi i karbonit (CO2) shtetet anwtare tw OKB u mblodhën në Kopenhagen me synim arritjen e një marrëveshjeje që do të caktonte kufinj të detyruar për reduktimin e prodhimit të CO2 për të mos lejuar rritjen e temperaturave me më shume se 2 °C.

Megjithë përpjekjet në samitin e Kopenhagenit u arrit vetëm një marrëveshje modeste dhe larg asaj që këshillon shkenca. Në marrëveshje parashikohen angazhime për ta përmbajtur rritjen e temperaturave me jo më shumë se 2 °C si dhe një fond për ngrohjen globale. Por marrëveshja nuk parashikon masa konkrete për reduktimin e sasisë së CO2, gjë që nga ana e aktivistëve u konsiderua si dështim.
Nga ana tjetër sekretari i përgjithshëm i OKB Ban Ki-Moon e konsideroi marrëveshjen si hap të parë të rëndësishëm pasi në vitin e ardhshëm ajo mund të shndërrohet në ligj ndërkombëtar.

Në një kohë kur kjo është pamja e politikës botërore, kur rreth 190 drejtues shtetesh zhvilluan bisedime për të arritur një marrëveshje globale për një çështje të vështirë dhe delikate që ka të bëjë me ekonominë e çdo shteti dhe me burimet natyrore të planetit, në Shqipëri uji nuk u vu fare në zjarr për këtë.
Përkundrazi çështjet e brendshme dhe të ngushta politike kanë qenë në qendër të vëmendjes. Kutitë dhe hapja apo mos-hapja e tyre, çfarë thonë ndërkombëtarët për kutitë, si i shikojnë kutitë në Tiranë, në Bruksel apo në Pragë e kështu me rradhë. Kohët e fundit në Shqipëri njerëzit janë marrë me kutitë.
Çështjet e tjera janë spostuar dhe problemi i ngrohjes globale nuk ka arritur deri në opinionin shqiptar.
Po çfarë do të ndodhte në Shqipëri sikur temperaturat të rriten me 2 gradë?

Për të pasur një burim serioz dhe shkencor të parashikimit të efekteve të ngrohjes globale në Shqipëri rrëmova në internet dhe gjeta një raport shumë të vlefshëm që duhet të kishte merituar më shumë vëmendje në media.

Raporti është komunikimi i dytë i qeverisë shqiptare nën Konventën Kuadër mbi Ndryshimin Klimatik të Kombeve të Bashkuara i përgatitur nga Ministria e Mjedisit me mbështetjen e PNUD-it dhe qeverisë austriake. Ky raport është pjesë e raporteve të paraqitura në samitin e Kopenhagenit dhe mund te gjendet në faqen internet të samitit.
Në raport paraqiten disa nga efektet e ndryshimeve klimatike të projektuara deri në 2100. Disa prej tyre janë rritje e temperaturave, pakësim i rreshjeve që rezultojnë në dimër më të butë, pranverë më të ngrohtë, verë më të nxehtë dhe më të thatë dhe vjeshtë më të thatë. Thatësira më të shpeshta dhe më serioze do të shoqërohen me rrezik më të lartë zjarresh. Rritja e temperaturave në verë në 2050 parashikohet të jetë me 2.4 – 3.1 °C si dhe numri i ditëve të nxehta me temperatura ≥35 °C parashikohet të rritet me 3-4 ditë në 2050.
Efektet janë të shumta dhe nuk do t’i paraqes të gjitha këtu. Një shembull tjetër i pasojave të ngrohjes globale është në sektorin e energjisë. Temperatura më të larta, më pak rreshje, ndryshime në nivelet e lagështirës, ndryshime në shpejtësinë e erës dhe rritja e numrit të ditëve me diell, do të ndikojnë si në kërkesën ashtu dhe prodhimin e energjisë. Energjia për ngrohje parashikohet të pakësohet ndërsa ajo për ftohje të rritet. Prodhimi i energjisë parashikohet të rritet në 2025 si pasojë e TEC-eve. Por për shkak të ndryshimit të parashikuar klimatik prodhimi i energjisë nga burimet ujore mund të pakësohet dhe duhet shtuar kapaciteti i prodhimit nga TEC-et. Ndërkohë prodhimi i energjisë diellore dhe të erës mund të rritet për shkak të rritjes së ditëve me diell dhe shpejtësisë së erës.

Në raport paraqiten efektet edhe në sektorë të tjetë, si turizmi, popullsia dhe shëndeti. Vetëm shkurt vendbanimet e reja të krijuara në zonat bregdetare pas 1990 prej prurjeve të popullsisë nga zonat malore janë në rrezik të vazhdueshmë përmbytjesh për shkak të rritjes së nivelit të detit ose lumenjve. Si shembull në raport përmenden ndërtimet në plazhin e Shëngjinit që rrezikohen nga rritja e nivelit të detit në 50-100 vitet e ardhshme.

Meqënëse raporti është shumë informues por i gjatë për tu paraqitur në një shkrim, ju ftoj ta lexoni vetë dhe të nxirrni konkluzionet personale dhe të ndikoni që çështja e ngrohjes globale dhe e pasojave në Shqipëri të jetë pjesë e debatit mediatik dhe shoqëror. Ministria e Mjedisit me siguri duhet të ketë një kopje të raportit në shqip.

Nuk mund të qëndrojmë indiferentë dhe të mendojmë se ngrohja globale nuk na prek. Ajo na prek dhe duhet të fillojmë që sot të parashikojmë se si do të përshtatemi ndaj një profili të ri klimatik për të lënë trashëgimi një vend po aq të pasur në burime dhe vlera natyrore sa ky që kemi sot.

Raporti mund të gjendet në anglisht këtu:
http://unfccc.int/resource/docs/natc/albnc2.pdf

Gazeta Shqip, 24 dhjetor 2009

Letër e hapur për Berishën dhe Ramën

Të nderuar Z. Sali Berisha dhe z. Edi Rama, ju dërgoj këtë letër të hapur sot, pasi si shtetase shqiptare jam e shqetësuar në lidhje me zhvillimet e fundit.

Ju siguroj që politika nuk më intereson në vetvete, por në rastin konkret, kur ajo po rrezikon ta fusë vendin në krizë, më duhet të reagoj.

Besoj se të gjithë jemi të qartë për procesin dhe rezultatet e zgjedhjeve, pasi i kemi ndjekur ato hap pas hapi nga përgatitja e fushatave elektorale, në ditën e votimit, ditët e pasvotimit dhe të numërimit të votave, si dhe momentin e shpalljes së rezultateve në gusht nga KQZ-ja dhe vlerësimin nga OSBE/ODIHR.

Shpallja e rezultatit të zgjedhjeve është bërë nga institucione dhe kërkesa për mosmarrjen parasysh të vendimit të këtyre institucioneve më duket si një kërkesë për t‘i anuluar këto institucione dhe rolin e tyre.

Një shtet nuk mund të funksionojë i rregulluar nga individë, pasi individët janë imperfektë, egoistë dhe kanë tendencë ta shndërrojnë pushtetin në pushtet personal. Aq më tepër që në historinë tonë kemi pasur raste drejtimi të vendit nga “individi” dhe rezultatet i dimë të gjithë shumë mirë.

Unë po ju shkruaj sot, që t‘ju kërkoj publikisht, pasi e kam të drejtën si qytetare që ta ndaloni konfliktin. Ju kërkoj që t‘u jepni fund replikave midis jush, që po shndërrohen në dhunë verbale ndaj njëri-tjetrit, por dhe ndaj ne qytetarëve.

Sharjet dhe kërcënimet në distancë, që keni përdorur përmes mediave që janë sjellë si trampolina perfekte të fjalëve tuaja agresive, duke luajtur rolin e tyre në mënyrë elementare dhe jo si një profesion që ofron ekspertizën e informacionit, nuk më kanë pëlqyer.

Po ashtu nuk më ka pëlqyer që të dëgjojmë apo lexojmë për njërin se e ka humbur mendjen dhe për tjetrin se do ia shkulim dhëmballët.

Sulmet personale ndaj të kaluarës apo familjes së secilit nuk kanë ç‘na duhen, nuk kanë pse të jenë pjesë e bisedave tona të përditshme shoqërore.

Ju lutem, z. Kryeministër dhe z. kryetar i Partisë Socialiste dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, silluni si të rritur, si njerëz të civilizuar dhe në rangun e pozicionit që përfaqësoni.

Vetëm përpara disa ditësh ne morëm vesh që Këshilli i Ministrave për Çështje të Përgjithshme në Bruksel, vendosi të pranojë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Ky është një lajm shumë i rëndësishëm, i cili duhet të ketë prioritet dhe ndaj të cilit qeveria, partitë politike, administrata, shoqëria civile dhe qytetarët duhet të reagojnë pozitivisht, duke bërë përpjekjet e nevojshme për përmirësim.

Ky është një lajm edhe më i rëndësishëm dhe inkurajues kur kujtojmë se në korrik u fol për një geto brenda Ballkanit, të përbërë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, pas vendimit të Komisionit Europian për të përfshirë në liberalizimin e vizave vetëm Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi.

Edhe pse ne nuk u kualifikuam në raundin e parë, për shkak të mangësive tona, kemi shansin që nëse bëjmë përpjekjet e duhura, të kualifikohemi gjatë vitit 2010.

Çështja e zgjedhjeve parlamentare të qershorit që nuk pranohen nga opozita po e mban peng Parlamentin shqiptar. Kjo më duket si një pengesë e ngritur nga brenda vendit, ndërkohë që nga jashtë ajo ka hapur dyer të reja.

Më vjen shumë keq që po harxhohet kohë në drejtimin e gabuar. Madje më vjen edhe më keq kur shikoj që ky drejtim i gabuar po thellohet gjithnjë e më shumë përmes militantizmit dhe një papërgjegjshmërie të frikshme. Aq më tepër më shqetësojnë referencat e panevojshme ndaj një drejtimi tjetër të gabuar të së kaluarës, 1997, si pasojë e të cilit ne humbën 10 vjet kohë duke e bërë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit vetëm në 2006-ën, ndërkohë që kjo do të ishte bërë në 1996.

Në këtë moment kritik, ku kemi shumë për të bërë, do të ishte marrëzi të përsërisnim gabimet e së kaluarës.

Është interesi i shumicës që përfaqësohet në një demokraci. Edhe pse demokracia jonë është ende në moshën e fëmijës, interesi i shumicës nuk është që të kthehemi mbrapa dhe të rifillojmë çdo gjë, ndërkohë që bota ecën me shpejtësi.

Përkundrazi, interesi i shumicës është drejt Europës dhe për stabilitet. Prandaj sinjali që na jepet në këtë moment duhet të na shërbejë si pikësynim drejt së cilit të ecim.

Të nderuar z. Berisha dhe z. Rama, të dy ju jeni të zgjedhur nga ne, njerëzit, elektorati. Ne ju kemi zgjedhur që të përfaqësoni interesin tonë dhe të na mbroni.

Mos e shikoni pozicionin tuaj si pozicion personal në mbrojtje të interesit apo egos suaj, por kujtohuni për ne, që jemi arsyeja juaj e të qenit.

Për interesin tonë dhe të fëmijëve tanë, ju bëj një kërkesë të hapur, t‘i lini konfliktet dhe jo t‘i përforconi, të hapni rrugë dhe të gjeni një marrëveshje.

Nuk mund ta mbani vendin peng të egoizmit dhe krenarisë tuaj, tregohuni të përulur dhe respektoni të drejtat tona.

Gazeta Shqip, 1 dhjetor 2009

Revolucion apo evolucion?

Në fusha të ndryshme ku shfaqet vetëdija kolektive, në artikujt e gazetave, në diskutimet e drejtuesve politikë, bisedat e përditshme të njerëzve nëpër kafene, shpeshherë dëgjoj të trajtohen problemet më emergjente të shoqërisë, në prizmin e nevojës për diçka të re, për njerëz të rinj, për një revolucion që do të na bënte të kalonim nga e vjetra në të renë. Revolucioni francez më vjen menjëherë në mendje kur dëgjoj këto terma, pasi ai konsiderohet si një nga më të rëndësishmit dhe një nga më gjakatarët në historinë e Evropës. Gjatë një periudhe 10-vjeçare në Francë u përmbys regjimi i vjetër dhe sistemi ekonomik dhe politik që ai kishte krijuar gjatë shekujsh, për t‘ia lënë vendin një sistemi të ri.

Por për shkak të tensioneve dhe rrymave të shumta dhe kontradiktore, “e reja” që revolucioni krijoi nuk mundi të triumfonte menjëherë, dhe kështu pas shpalljes së Republikës në 1792 pasuan vitet e shëmtuar të Terrorit. Konsolidimi i revolucionit dhe i Republikës nëpërmjet luftës së jashtme, do të sillte shfaqjen e një gjenerali triumfues, Napoleonit, dhe gradualisht kalimin nga një republikë e qytetarëve drejt një republike borgjeze dhe në fund në shfaqjen e perandorisë. Shumë peripeci të tjera pasuan për Republikën, deri në konsolidimin e saj në kuptimin që i jepet këtij koncepti sot në regjimet demokratike. Nga Republika e parë në Francë me dy ndalesa në Perandori, është arritur në Republikën e 5-të, në kohët moderne! Megjithëse u deshën shumë vite për ta konsoliduar “të renë” që solli revolucioni francez, në fakt, ajo ishte fituar në sajë të energjisë që shpenzuan njerëzit që e bënë revolucionin.

Ata fillimisht donin të rrëzonin të vjetrën, por pas hapave të parë u bë e qartë nevoja për ta përmirësuar atë, pasi ajo erdhi e veshur me këmishë me njolla gjaku e me koka të prera. Por revolucioni nuk ishte vetëm dhunë, në librat e historisë thuhet se në vitet e para të Republikës, i kushtohej një rëndësi e madhe informimit të qytetarëve, shprehjes së opinioneve nëpër gazeta, trakte dhe në mbledhjet e shumta të klubeve politike. Shoqëritë janë bashkësi komplekse ku interesat e ndryshme përplasen me njëri-tjetrin dhe duhet një zotësi e madhe e të gjithëve, që situata e arritur të jetë më e mira e mundshme. Revolucioni francez u përgatit nga një brez mendimtarësh, të cilët i shkruan dhe i diskutuan idetë e reja që kishin mbi njeriun, mbi forcën e arsyes, mbi rolin që ai duhet të ketë në shoqëri. Mendimtarët e Iluminizmit i paraprinë revolucionit, i cili e shndërroi lëvizjen fillestare të mendimit në një forcë fizike dhe më pas historike.

Ndoshta shkova shumë larg, por kaq larg më hedhin termat që dëgjoj rëndom, mbi nevojën për diçka të re, drejtues të rinj që do të revolucionarizojnë shoqërinë. Në fakt fjalët janë më të rëndësishme se sa mendojmë, ato mbeten në kujtesën e pavetëdijshme dhe kushtëzojnë mënyrën e të menduarit. Insistimi që ndeshet ende sot për “njerëzit e rinj”, është një klishé shumë e lehtë, e derivuar nga doktrinat komuniste, të cilat pretendonin se do të prodhonin njeriun e ri, që ishte më i mirë se i vjetri. Në Shqipëri ky koncept, “njeriu i ri” ka mbizotëruar për shumë vite dhe del vetvetiu sa herë i referohemi së ardhmes. Është një koncept donkishotesk, që njeriu i ri, të vijë dhe të ndryshojë çdo gjë, ta bëjë shoqërinë “ashtu siç duhet” edhe pse ajo “ashtu siç duhet”, është shumë e vështirë për t‘u përcaktuar. Dhe më e vështirë është për të kuptuar se nga do dalë njeriu i ri? Nga një grup njerëzish të vjetër që nuk bëjnë asnjë përpjekje? Nuk ka se si të ndodhë.

Më shumë se sa një revolucion, ne kemi nevojë për evolucion, në kuptimin bazik të përmirësimit, të ecjes përpara. E reja në shoqërinë shqiptare ka ardhur që pas rrëzimit të komunizmit, ajo erdhi si pasojë e situatës së përgjithshme në ish-vendet e Lindjes. Ne nuk bëmë revolucion për ta arritur këtë, pritëm që rrëzimi i komunizmit të niste diku dhe ne të bënim pjesën që na përkiste brenda vendit. Tashmë që e keqja më e madhe ka kaluar, nuk kemi nevojë as për revolucion dhe as për diçka të re, në kuptimin e diçkaje që kontraston dukshëm me ekzistuesen. Ajo për të cilën kemi nevojë më shumë është evolucioni i mendimeve, i mentalitetit, i rregullave të organizimit shoqëror dhe i mënyrës së jetesës. Të gjithë kemi filluar ta kuptojmë se si funksionon sistemi politik në Shqipëri. Të gjithë e dimë gjithashtu që pushteti nënkupton para, lavdi, privilegje, situatë shoqërore të mirë, dhe të gjithë ata që konkurrojnë për pushtet, do të kenë si pasojë e pushtetit, përfitime. Kjo është e arsyeshme dhe konsiderohet si çmimi që paguajnë njerëzit e këtij lloji për t‘u futur në garën konsumuese të konkurrimit politik.

Shndërrimi i rezultatit, pra i përfitimeve që të vijnë nga pushteti, në motivin kryesor për ta fituar pushtetin është i tepërt, por megjithatë ndodh. Që pas ngjarjeve të këtij viti, të hapura me Gërdecin dhe të ndjekura së fundmi me shkërmoqjen e një pallati, shoqërisë shqiptare me siguri i janë hapur sytë më shumë dhe ajo është në gjendje të shikojë tregues mbas treguesi, se si pas politikanëve qëndrojnë interesa ekonomike dhe financiare. Ata që ndajnë tortën e pushtetit janë gjithashtu ata që ndajnë territorin e vendit në zona pushteti dhe këto zona i përmbajnë të gjitha, njerëzit, tokën, ujin, erën, pyjet, nëntokën. Tashmë që ne gjithnjë e më shumë po i kuptojmë këto fakte, si njerëz me arsye na takon të ripozicionohemi ndaj pushtetarëve. Në vend që t‘ia kërkojmë pushtetit plotësimin e të gjitha mungesave tona, ne duhet të mobilizohemi vetë me njëri-tjetrin, që të angazhojmë fonde nga burime të ndryshme, nga biznesmenë, nga donatorë si dhe nga shteti për t‘i përmirësuar ato gradualisht. Pikësëpari edhe sikur politikanët të ishin vërtet të shqetësuar për problemet tona, për shkak të sasisë së tyre të madhe dhe mundësive financiare të kufizuara, përmirësimi i të gjitha nevojave do të bëhej vetëm gradualisht.

Në një realitet ku po bëhet e qartë që politikanët dhe më gjerë drejtuesit, kanë të parin shqetësimin e të mirave të tyre personale dhe më pas atë të halleve tona, ne nuk mund të presim prej tyre. Pushteti nuk zgjidh çdo gjë, madje ai ka tendencë që të afrojë çdo gjë rreth vetes në mënyrë që të përfitojë sa më shumë. Dhe sjellja jonë është krejt naive, ne i varim të gjitha shpresat tek ata, ne u besojmë atyre verbërisht aq shumë sa në momentin e zgjedhjeve, çfarëdo që ata të kenë bërë, ne sërish do të votojmë për kampet tona politike të preferuara. Jemi të zhgënjyer prej tyre, por sërish u besojmë të ardhmen tonë. Ka një absurd në këtë sjelle. Kjo duket si sjellje prej të sëmuri, që nuk arrin të shikojë dhe të arsyetojë qartë. Kjo situatë është natyrisht e trashëguar, pasi kemi kaluar 50 vjet duke i parë politikanët jo vetëm ta përdorin pushtetin për interesat e tyre, por mbi të gjitha të na dhunojnë në të drejtat tona elementare. Prandaj duke parë mbrapa vërejmë gjithsesi një përmirësim të dukshëm. Politikanët merakosen për të mirat e tyre, por të paktën ne nuk dhunohemi në të drejtat bazike, si dhe kemi njëfarë hapësire shoqërore për t‘u zhvilluar.

Për të përparuar edhe disa hapa më tej, ajo që duhet të bëjmë është të ndryshojmë fokusin me të cilin e shohim realitetin. Ne duhet të kthehemi drejt njëri-tjetrit, dhe jo kah pushtetarët të cilët do të vazhdojnë po njëlloj. Ajo që duhet zhvilluar në këtë fazë është komunitarizmi, ngritja e solidaritetit midis qytetarëve në një strukturë mbështetëse për ata që kanë më shumë nevojë. Nëse i hedhim sytë në shoqërinë tonë do të dallojmë se ky aspekt nuk është i zhvilluar. Sa prej OJF-ve ekzistuese merren me njerëzit e përjashtuar, të varfrit, fëmijët me probleme, konkretisht duke i ofruar atyre një mënyrë për të dalë nga gjendja e vështirë dhe jo duke i ofruar trajnime pafund nëpunësve të administratës apo shoqatave të tjera që kanë si burim të ardhurash aktivitetin në fjalë dhe që së largu merren me problemin. Solidariteti dhe komunitarizmi janë format e evolucionit për të cilat kemi më shumë nevojë dhe burimi i tyre është brenda çdo njeriu. Mendimi që kemi nevojë për njerëz revolucionarë është një drejtim i gabuar që nuk do të na ndihmojë të dalim nga vorbulla e besimit të verbër te politikanët. Le të jemi më solidarë dhe më humanë me njëri-tjetrin, kjo do ta ndryshojë shoqërinë në drejtimin që ne dëshirojmë duke na ngjitur në një shkallë më të lartë evolucioni.

Gazeta Shqip, 19 nentor 2008