Konsensusi dhe rreziqet e vazhdueshme nga mungesa e tij


Dëmi më i madh i mungesës së frymës së konsensusit në Shqipëri është koha e humbur dhe viktimat e konflikteve të panevojshme. Aktualisht vendi ndodhet në një moment ku duhet të arrijë medoemos një konsensus të përgjithshëm politik dhe shoqëror, për përmbushjen e kritereve për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shqipëria, si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është në procesin e stabilizim-asociimit me BE-në, që përfaqëson kuadrin e politikave të saj, në rrugën e këtyre vendeve drejt anëtarësimit të mundshëm. Megjithëse ende nuk është e qartë se deri në ç‘masë do të vazhdojë zgjerimi i BE-së, politikat e partneritetit janë një instrument i fortë zhvillimi që do t‘i ndihmojë këto vende në përmirësimin e kushteve të paqes dhe stabilitetit, sigurisë e drejtësisë, si dhe cilësisë së jetës.
Vizioni europian i ofron Shqipërisë mundësinë për të rritur kapacitetet e saj, si dhe u jep shqiptarëve një synim të përbashkët për të ndjekur anëtarësimin në BE.
Konsensusi midis shqiptarëve ka munguar që në kohën kur Skënderbeu e mbronte vendin nga pushtimi turk. Përçarja midis princave, që s‘e pranonin autoritetin e një princi të vetëm dhe prania e të huajve, të gatshëm për të ofruar shpërblime, ishin faktorë destabilizues. Aleancat ishin të brishta dhe uniteti kombëtar mungonte. Misioni i Skënderbeut ishte tejet i vështirë, sidomos për shkak të një serie tradhtish nga princa të afërt, anëtarë të familjes, të cilët të prirur drejt privilegjeve personale, e sakrifikuan aleancën me të dhe sigurinë e njerëzve, në këmbim të premtimeve të sulltanëve turq.
Pushtimi i gjatë turk ishte shumë i dëmshëm, për shkak të prapambetjes ekonomike që shkaktoi, sikurse dhe varfërimit politik, shoqëror e kulturor. Por dëmi më i madh i tij ishte shpërbërja e identitetit shqiptar.
Pas shpalljes së pavarësisë në 1912-ën, u ndjenë vërtet pasojat e mungesës së unitetit kombëtar, në një kohë kur kufijtë nuk ishin të sigurt, prijësit të lëkundur dhe në vend kishte ushtri të huaja. Kur u krijua Parlamenti i parë shqiptar, në 1920-ën thuhet se deputetët u zgjodhën në bazë të një sistemi elektoral demokratik, por në fakt votuesit ndiqnin udhëzimet e organizatorëve dhe mbështetja e pushtetit ishte numri i njerëzve dhe i pushkëve që mblidhte një kandidat. Demokracia ishte e brishtë dhe grupimet politike e fisnore përlesheshin duke shkaktuar ndërrime të qeverive në formën e “grushteve të shtetit”. Përgjithësisht ata që luftonin për marrjen e pushtetit e konsideronin atë si një mjet pasurimi personal. Në përgjithësi administrata turke krijoi një ndjesi mosbesimi tek autoriteti, i cili ishte i jashtëm dhe duhej me çdo kusht të mashtrohej e të grabitej, duke krijuar një marrëdhënie të deformuar me të, që mbeti e fortë edhe kur ai filloi të bëhej i brendshëm. Lidhja shoqërore nuk ishte e konsoliduar, për shkak të mungesës së unitetit kombëtar, por edhe të fragmentarizimit të shoqërisë nga pikëpamja fetare, e zhvillimit, si dhe të diferencave të mëdha në nivelin arsimor dhe kulturor midis të shkolluarve në Perëndim dhe njerëzve të varfër. Megjithëse Ahmet Zogu arriti ta nxjerrë identitetin shqiptar nga apatia e dominimit pesëshekullor turk, ai u dobësua sërish nga pushtimi italian dhe ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë regjimit komunist, identiteti kombëtar u konsolidua nga pikëpamja e bashkimit nën një besim (ideologjia komuniste) dhe nën një gjuhë, si dhe në aspektin territorial, pasi kufijtë ruheshin me fanatizëm. Megjithatë, ndjesia e përkatësisë në një komunitet të përbashkët u dobësua, për shkak të përçarjes midis grupeve shoqërore. Pakica e të privilegjuarve që ishte në pushtet, ushtronte metoda jo legjitime dhe rreth tyre rrotulloheshin satelitët që i ofronin sistemit shërbime si spiunim dhe servilizëm. Shumica e popullit ishte e nënprivilegjuar dhe ndahej në ata që patën një jetë disi normale, duke humbur të drejtën e fjalës dhe në viktimat e burgjeve e të internimit. Grupet kundërshtare akoma nuk e kanë tejkaluar konfliktualitetin e së kaluarës dhe nuk e konsiderojnë njëri-tjetrin pjesë të së njëjtës bashkësi. Në përgjithësi shoqëria shqiptare ende nuk i ka trajtuar haptazi të mirat dhe të këqijat e regjimit komunist, duke u lënë terren manipulimeve politike, që e dobësojnë edhe më shumë kohezionin shoqëror. Gjatë komunizmit u eliminuan shumë nga forcat rezistuese dhe për pasojë edhe konsensusi mbi nevojën për të rezistuar ndaj një regjimi të padrejtë u pakësua. Në vend të tij u instalua, si në kohën e pushtimit turk, ai konsensus që e konsideronte normale daljen nga niveli i së drejtës, drejt metodave alternative të shtypjes, mashtrimit dhe shfrytëzimit të pozitës për qëllime personale. Në të tilla kushte lulëzoi informaliteti dhe pasurimi jashtë ligjit. Korrupsioni i futur në Shqipëri që me administratën turke, u forcua edhe më shumë në vitet e fundit të komunizmit. Po ashtu, anëtarët e Sigurimit të Shtetit, duke qenë në dijeni të rrjeteve të kontrabandës, u bënë më pas pjesë e rrjeteve rajonale të krimit të organizuar.
Pas rënies së komunizmit u bënë përpjekje për ngritjen e një sistemi demokratik, por dalja nga diktatura ishte po aq e vështirë sa edhe dalja nga pushtimi turk. Në vitet e para nuk pati shfaqje dhune, por kryesisht emigracion masiv, pasi gjatë regjimit të Hoxhës u realizua çarmatimi i popullsisë dhe depot e armëve u mbajtën nën kontroll. Por situata doli jashtë kontrollit në vitin 1997, kur shpërthyen trazira të dhunshme nga njerëz të armatosur. Mendimet rreth ‘97 janë të shumta dhe ajo që ndodhi nuk është zbardhur ende, por dihet që aty pati përplasje midis forcave politike të reja dhe të vjetra, të cilat si prijësit e dikurshëm, nuk e kursyen jetën dhe sigurinë e njerëzve, por vunë të parin interesin vetjak.
Në vitin 2006 Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, që është një kuadër kontraktual që fokusohet në disa pika, dy prej të cilave janë forcimi i dialogut politik dhe bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Vlera më e madhe që promovon kjo marrëveshje është konsolidimi i demokracisë, e cila, sipas filozofit francez, Raymond Aron, është një konkurrencë paqësore midis palëve kundërshtare, për ushtrimin e pushtetit. Ajo kërkon marrëveshje midis forcave të kundërta, në emër të së mirës së përbashkët. Zbatimi i MSA-së nënkupton për Shqipërinë konsolidimin e konsensusit midis forcave politike. Por, në një demokraci është i domosdoshëm edhe bashkëpunimi midis individëve që grupohen sipas interesave të përbashkëta, si dhe i tyre me pushtetin. Individët përfaqësojnë “shtyllën e tretë të pushtetit”, shoqërinë civile, e cila me pjesëmarrjen e saj në procesin e qeverisjes bëhet pengesë për ushtrimin e pushtetit për qëllime personale dhe shpreh interesat e qytetarëve, duke rritur cilësinë e demokracisë.
Në të kaluarën fryma bashkëpunuese midis drejtuesve ka qenë e dobët dhe ajo është transmetuar edhe në shoqëri, ku vazhdon edhe sot të ketë përplasje të shumta interesash, mungesë të ndjesisë së komunitetit dhe ndjenja mosbesimi. Por zhvillimi i përgjithshëm shoqëror kërkon respektimin e të gjithëve dhe konsiderimin e shoqërisë si një shtëpi të përbashkët. Është e zakonshme që në shoqërinë shqiptare secili të kujdeset për pastërtinë deri te pragu i shtëpisë dhe ta konsiderojë hapësirën e përbashkët si diçka që nuk e prek. Qarkullimi rrugor është kaotik dhe burim i vazhdueshëm aksidentesh, pasi çdo njeri mendon se të tjerët duhet t‘i respektojnë rregullat, ndërsa ai vetë jo. Në Tiranë shumë ndërtime janë bërë duke zaptuar trotuaret dhe për kalimtarët shëtitja me këmbë shndërrohet në një kalim me pengesa. Njohja e pronësisë shoqërohet me probleme të shumta, për shkak të korrupsionit të përhapur në pushtetin lokal, që i pajis qytetarët e gabuar me certifikatën e pronës, në këmbim të ryshfeteve, duke legjitimuar vjedhjen e qytetarëve të tjerë. Forcat politike futen në konflikte të tejzgjatura, po ashtu edhe mediat kanë një preferencë për konfliktet, problemet dhe mungesat. Konfliktualiteti i pranishëm në jetën e përditshme prodhon ndjesi negative dhe mohuese mbi gjithçka. Krahas kësaj pamjeje ekziston edhe një pamje tjetër, e qetë, e një njeriu të ulur në një park, në një qytet të rregulluar, të pastër dhe me pemë, ku ai lexon një gazetë e cila përmban kritika dhe denoncon probleme, por nuk mohon çdo gjë dhe i mban gjallë vlerat më të rëndësishme. Kjo pamja tjetër mund të arrihet, por ajo kërkon si fillim frymën e bashkëpunimit midis njerëzve për të realizuar ëndrrat e tyre të përbashkëta. Vlera më e rëndësishme që transmeton bashkësia evropiane është vlera e komunitetit, e ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve shoqërorë për rolin e tyre në mbarëvajtjen e tij.
Shoqëria, si një bashkësi komplekse, që funksionon me rregullat e saj, të cilat edhe për studiuesit e specializuar janë të vështira për t‘u kuptuar në tërësinë e tyre, ndryshon ngadalë, por megjithatë ajo ndryshon duke u përmirësuar dhe duke iu përgjigjur sfidave reja. Të vëna përpara sfidave të integrimit në bashkësinë evropiane, të bazuar në vlera të tilla si demokracia, diversiteti dhe respekti i të drejtave dhe lirive të njeriut, shumë shoqëri të tjera, që janë sot pjesë e BE-së, kanë ndryshuar gjatë procesit të përgatitjes për t‘u bërë anëtare. Kështu edhe shoqëria shqiptare duhet të reagojë ndaj realitetit të ri, ku asaj i kërkohet më shumë se kurrë të jetë e bashkuar dhe të promovojë vlerat e saj më të mira. Vlerat e BE-së nuk perceptohen drejt nga të gjithë shqiptarët, një pjesë e të cilëve, i përkthejnë ato vetëm në të drejta si lëvizja e lirë, përfitime nga të mirat e vendeve të zhvilluara dhe jo detyrime, për të hequr dorë nga mënyrat jo ligjore të pasurimit, për të paguar taksat dhe faturat e energjisë elektrike, për të mbajtur pastër ambientin e përbashkët dhe për të pasur në përgjithësi dëshirë për punë dhe një frymë pozitive.
Shqipëria është vetëm në fillim të rrugës drejt BE-së, por synimi final anëtarësimi, duke parë edhe rezultatin e tij, në vendet e anëtarësuara, do të luajë si një mekanizëm i nëndheshëm me efekte pozitive në të gjithë shoqërinë. Ky synim, duke qenë i përbashkët për të gjithë, do të prodhojë së pari një efekt bashkues, të forcave përparimtare dhe në të njëjtën kohë, por më ngadalë, do të depërtojë edhe në ndërgjegjen e njerëzve të thjeshtë. Përveç tij, synimi për të qenë pjesë e një komuniteti të sigurt dhe miqësor do të krijojë efekte pozitive edhe në drejtimin vertikal, duke prekur të gjitha shtresat e shoqërisë deri te klasa politike, e cila ka përgjegjësi direkte për kryerjen e reformave.
Me insistimin e përfaqësuesve të BE-së, u arrit gjuha e përbashkët midis partive politike për të miratuar ligjin për reformën në drejtësi. Aktualisht po debatohet mbi reformën zgjedhore, për të cilën ka mosmarrëveshje midis partive të mëdha dhe të vogla dhe përfaqësuesit e OSBE-së po luajnë rolin e një pale të tretë që shtyn drejt zgjidhjes. Por problematika të tjera shumë të rëndësishme si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar presin për t‘u zgjidhur. Korrupsioni është shumë i përhapur dhe ka formën e korrupsionit të institucionalizuar. Ndërsa krimi i organizuar është i mbështetur nga individë të veçantë në nivele të larta të shtetit, si dhe nga elemente të diasporës dhe botës kriminale. Sipas përfaqësuesve të BE-së, autoritetet shqiptare, edhe pse i pranojnë këto dy probleme, për shkak të mungesës së dëshirës apo mundësive reale për t‘i luftuar, nuk kanë mundur të bëjnë më shumë se sa ndryshime kozmetike.
Shqipëria ka të paktën 8 vjet kohë për të zbatuar plotësisht MSA-në. Gjatë kësaj kohe klasa politike duhet të reduktojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të finalizojë reformat e nisura, në bashkëpunim me shoqërinë civile. Kjo do të ndikojë në përmirësimin e imazhit të qeverisjes te njerëzit dhe në rritjen e besimit ndaj klasës drejtuese në përgjithësi dhe në veçanti do të forcojë konceptin e bashkësisë.
Synimi i përbashkët për anëtarësimin në BE do të jetë forca bashkuese që ka munguar gjatë të kaluarës dhe do t‘i shtyjë shqiptarët të hyjnë në bashkësinë e tyre, në të njëjtën kohë me premtimin për të hyrë në bashkësinë evropiane.

Gazeta Shqip, 21 mars 2008

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s